Përhapja dhe lëvrimi i mendimit dhe i kulturës islame në Shqipëri dhe më gjerë, veprimtari të cilën AIITC e realizon prej më shumë se një dekade, bënë që një nga rubrikat e revistës periodike, social-kulturore, El-Bushra, gjatë muajit nëntor 2009, që botohet në Kuvajt, të çelej me titullin e sipërpërmendur, në kuadrin e një intervistë të zhvilluar ndërmjet korrespodentit të kësaj z. Muhamed Abdulkerim, me drejtorin e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC) dr. Ramiz Zekaj.
Gjatë kësaj interviste, dr. Zekaj, krahas informacioneve për veprimtarinë në fushën e kulturës dhe qytetërimit islam, ka sqaruar në vija të përgjithshme historikun e përhapjes së Islamit në Shqipëri dhe se si u përqafua ai nga masat e gjera të popullsisë, të cilat denjësisht kanë trashëguar vlerat dhe kulturën e këtij besimi, brez pas brezi, duke e bërë atë pjesë integrale të identitetit shqiptar.
Gjatë intervistës, ndër të tjera, u evidentuan shumë nga veprimtaritë që AIITC, ka realizuar qysh prej themelimit të saj e deri sot. Përmenden shumë simpoziume, konferenca, seminare, tryeza të rrumbullakëta, kombëtare dhe rajonale, qëllimi i të cilave ka qenë: nxitja e kapaciteteve kulturore dhe shkencore në lëvrimin e kulturës dhe besimit islam dhe sensibilizimin e mbarë opinionit publik. Ndër më kryesoret është “Çmimi AIITC”, i cili që nga viti 2006 jepet për çdo vit për: Librin më të mirë të vitit në fushën e shkencës dhe kulturës islame, për peizazhin më të bukur në penelat e piktorëve shqiptar, për krijimtarinë më të arrirë nga moshat e reja në prozë e poezi me tematikë “E bukura në shpirt dhe në jetë”. I cili çmim ka ngjallur interesimin dhe angazhimin e forcave të spikatura të shkrimtarëve, krijuesve, piktorëve dhe talenteve të reja.
Për çdo vit veprimtaritë e AIITC shënojnë përmirësime të ndjeshme cilësore dhe në angazhimin në to e forcave më të afta e më të kualifikuara kryesore.
Dr. Zekaj, në intervistën e tij shpalosi arritjet e AIITC në fushën e botimeve. Në më shumë se 100 tituj librash të disa gjinive dhe autorëve më të spikatur vendas dhe të huaj. Këta tituj përfshijnë një gamë të gjerë, nga studimet e veçanta, deri te përkthimet nga gjuhë të ndryshme; nga literatura për fëmijë, deri te titujt dhe periodikët akademike. Si kryefjalë e përpjekjeve të AIITC në këtë fushë, mbetet pa dyshim sjellja e Kuranit të Madhërishëm, në standardet e shqipes letrare, të cilës, revista El’Bushra i rezervoi një vlerësim të veçantë.
Në fund të intervistës, drejtori i AIITC, shprehu bindjen për nevojën imediate që ndihet në radhës e besimtarëve muslimanë shqiptarë, e jo vetëm, për tituj e libra që ofrojnë njohuri islame për çdo grupmoshë, dhe çdo kategori shoqërore.
Me këtë rast, AIITC i shpreh redaksisë së revistës “El-Bushra” në Kuvajt, falënderime të përzemërta për hapësirën dhe vlerësimet e posaçme, në adresë të institutit, si dhe i uron asaj suksese të mëtejshme në realizimin e qëllimeve që ajo i ka vënë vetes, në shërbim të kulturës dhe të popujve islamë të kudondodhur.