Me ftesë të ambasadores së shtetit zvicerian znj. Yvana Enzler, zhvilloi një vizitë në këtë ambasadë drejtori i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam dr. Ramiz Zekaj dhe drejtori i bordit drejtues të AIITC prof.dr. Shefik Osmani.
Vizita motivohej prej letrës së hapur të dr. Ramiz Zekaj drejtuar ambasadës zvicerane lidhur me referendumin popullor, të zhvilluar në Zvicër më 29 nëntor 2009, që ndalonte qenien e minareve në ndërtimin e xhamive të reja në Zvicër.
Mbasi falënderoi vizitorët dhe uroi mirëseardhjen ambasadorja zvicerane sqaroi se muslimanët e Zvicrës mbështetur në nenin 15 të Kushtetutës Federale gëzojnë të gjitha të drejtat për praktikimin e besimit të tyre; se referendumi në fjalë nuk e kufizon aspak lirinë e besimit islam dhe se liria e fesë është element kyç dhe metodë e suksesshme në Zvicër. Por se ndalimi i ndërtimit të minareve në xhamitë e reja erdhi si rrjedhojë e një votimi popullor që duhet respektuar.
Në fjalën e tij dr. Ramiz Zekaj, mbasi falënderoi znj. Ambasadore për mikpritjen theksoi se kurdoherë besimi islam synon t'i paqëtojë e miqësojë popujt pavarësisht kombeve, gjuhëve dhe besimeve që i përkasin. Tek shteti i Zvicrës sanksionohen më së miri liritë dhe të drejtat e njeriut përfshi edhe ato të besimit. Popujt muslimanë të botës e së bashku me ta edhe muslimanët shqiptarë të akomoduar në Zvicër i janë mirënjohës shtetit dhe popullit të këtij vendi. Natyrisht edhe vullneti dhe dëshirat e popujve të Zvicrës duhen respektuar.
Por këto vullnete e dëshira duhet të ecin në harmoni e mirëkuptim. Pa dyshim se referendumi i 29 nëntorit 2009 që i thotë "Jo" minareve në xhamitë që ndërtohen rishtas në Zvicër cenon një traditë, normë dhe vullnet të besimtarëve muslimanë për t'i patur objektet e tyre të kultit të kompletuara edhe me minare. Që janë simbole nga ku përcillen mesazhet e besimit, të paqes dhe harmonisë.
Takimi vijoi me dhurimin e disa botimeve të rëndësishme të AIITC, si Fjalori i Orinetalizmave dhe tri prej librave me autor prof.dr. Shefik Osmani mbi historikun e shkollave shqipe në Zvicër etj.
Ndërsa ambasadorja e nderuar dhuroi për AIITC tre botime që bëjnë fjalë për njohjen e Zvicrës, për diversitetet në të dhe edukimin e fëmijëve.