Salla e madhe e Muzeut Historik Kombëtar u mbush ditën e shtunë me datë 23 janar 2010 me anëtarët e shoqatës “Ibrahim Dalliu”. Motivimi i këtij takimi ish promovimi i vëllimit II të veprës “Kurani dhe njeriu” koment i veprës “Ajka e kuptimeve të Kuranit Qerim” e H. I. Dalliu, me autor z.Xhemal Balla.
Takimin e drejtoi kryetari i shoqatës “Ibrahim Dalliu” prof.dr. Shyqyri Reli, i cili ua dha fjalën referuesve: Prof.dr. Bedri Bylyku, Prof.dr. Musa Kraja, zv. Drejtorit të AIITC-së z. Bedri Telegrafi. Edhe autori Xhemal Balla përshëndeti të pranishmit dhe u dhuroi atyre librin e sapo dalë nga shtypi.
Parathënia e këtij libri është përgatitur nga drejtori i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, dr. Ramiz Zekaj. Në këtë parathënie ai shprehet:
Kurani, si Fjala e Zotit, libër universal dhe i të vërtetave absolute, u jep përgjigje shumë pyetjeve që kanë trallisur mendjen njerëzore. Në të gjen shpjegime për krijimin, përbërjen dhe funksionimin e universit; për galaktikat e sistemet diellore, për lëvizjet dhe hapësirat, për dritën dhe errësirat; për tokën që Zoti e bëri banesën e njeriut, për ujin dhe ajrin, për bimët e kafshët, për qeniet e dukshme e të padukshme dhe, së fundmi, për njeriun si qenien më të lartë, më të bukur, më të ndershme e krijuar për adhurimin e Zotit. Adhurimi është cilësia më e çmuar e qenies njerëzore e prej kësaj cilësie merr kuptimin dhe qëllimin jeta e njeriut. Këto vlera të larta hyjnore të Kuranit të Shenjtë i sjell tek besimtari musliman shqiptar autori Xhemal Balla me librin e tij; “Kurani dhe njeriu”, si koment i veprës “Ajka e kuptimeve të Kurani Qerimit” të teologut të shquar shqiptar Hafëz Ibrahim Dalliu, i cili ka theksuar: “Besimi është themeli, kurse punët e mira janë ndërtesa që ngrihen mbi këtë themel.”.
Fillimisht, autori, nën dritën e Kuranit e hedh vështrimin në shoqërinë njerëzore. Ai argumenton rolin e besimtarëve për shëndoshjen e kësaj shoqërie, që do të thotë se sa më e madhe të jetë masa e besimtarëve në një shoqëri dhe sa më aktiv e i ndjeshëm të jetë angazhimi i tyre, aq më e normalizuar dhe në mirë-funksionim ndodhet kjo shoqëri. Për ta ushtruar këtë funksion pozitiv, individi duhet të gëzojë lirinë. Liria si pjesëmarrje e individit, thekson autori, është dhuratë e Zotit dhe se ligjet islame në përmbajtjen e tyre kanë karakter human, sepse mbrojnë interesat dhe sigurojnë funksionimin e të drejtave të individit. Mirëpo sipas konceptit islam për individin ekzistojnë edhe detyrime që e largojnë atë nga veprimet dhe qëndrimet të cilat bien në kundërshti me interesat e shoqërisë njerëzore.
Në vazhdim, autori analizon problematikat dhe dilemat e shoqërisë njerëzore dhe angazhimin për zgjidhjen e këtyre dilemave. Në legjislacionin islam gjendet jo vetëm shpjegimi dhe kuptimi më i drejtë i konflikteve shoqërore, por edhe mënyrat e kapërcimit të situatave konfliktuale. Zgjidhjet për problemin aktual gjenden tek besimi islam. Islami si doktrinë besimi e edukon dhe e formon shpirtërisht besimtarin për të përkrahur të mirën shoqërore e për të shmangur të keqen. Në Kuran shkruhet: “Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija njerëzore, kështu që (Allahu) do t’i bëjë ‘të shijojnë’ pjesë nga ato që kanë punuar, me qëllim që ata të kthehen (në përmirësim).” (Er-Rum, 41).
Nën këndvështrimin kuranor, autori analizon tolerancën si bashkëpunim e përkujdesje, si marrëdhënie që forcon dashurinë, respektin dhe mirëkuptimin ndërnjerëzor. Ai e vështron Islamin si besim që i ka kompaktësuar dhe i ka vëllazëruar shqiptarët mes tyre dhe me popujt e tjerë të rajonit. Besimi islam është doktrinë që i afron dhe i miqëson shqiptarët me popujt e Evropës dhe me të gjithë popujt përparimtarë të botës, pavarësisht dallimeve fetare dhe kulturore.
Në analizën e problemeve të familjes, autori rreket të shpalosë e të theksojë rolin e saj si qelizë bazë e shoqërisë. Duke qenë e shëndoshë kjo qelizë është e shëndoshë e gjithë shoqëria dhe anasjelltas. Problemi analizohet tamam në kohën, kur institucioni i familjes në Shqipëri, por edhe në shumë vende tjera në botë, është dobësuar ndjeshëm; kur divorci është bërë plagë shoqërore, kur konflikti brenda familjeve shqiptare është problem shqetësues, kur marrëdhëniet brenda familjes janë të tronditura skajshëm. Besimi islam së pari krijon kuptime të drejta për familjen, për funksionimin e saj e për detyrat dhe detyrimet e bashkëshortëve, prindërve e fëmijëve.
Zoti jep në Kuran shumë porosi për familjen. Këto porosi duhen lexuar me kujdes, duhen ditur dhe duhen zbatuar me përpikëri. Nga zbatimi i tyre rezulton një familje e shëndoshë dhe vatër edukimi me moral të pastër e me virtyte.
Me mjeshtëri autori shqyrton rolin e besimit islam si faktor përcaktues në personalitetin e njeriut. Ai argumenton se kjo fe hyjnore i orienton dhe i drejton besimtarët drejt vlerave të vërteta e të larta shpirtërore, se morali, virtytet, ndershmëria, drejtësia, sinqeriteti, humanizmi dhe cilësitë më të bukura të personalitetit janë porosi hyjnore.
Përgëzojmë autorin Xhemal Balla për përpjekjet e tij në përcjelljen e vlerave madhore dhe mesazheve të besimit islam në masën e besimtarëve muslimanë. Për këto mesazhe ka dhe do të ketë nevojë individi, familja dhe shoqëria njerëzore.
Besimtarët muslimanë shqiptarë të kudondodhur, të çdo moshe, gjinie apo niveli kulturor e arsimor kanë nevojë të lexojnë këto mesazhe. Prej tyre buron vetëm mirësi.