Për herë të parë botohet në Shqipëri një fjalor arabisht shqip. Ky është Fjalori Arabisht-Shqip me autor z. Sulejman Tomçini, i botuar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam në këtë fundviti. Fjalorë arabisht-shqip janë hartuar edhe më parë, por ata ose kanë mbetur të pa botuar, ose janë botuar jashtë Shqipërisë. Autori i këtij fjalori, ish-diplomat karriere, ka një eksperiencë të gjatë pune në vendet arabe (Algjeri, Egjipt, Arabi Saudite) dhe në sektorin e gjuhës arabe në Radio-Televizionin Shqiptar.
Fjalori përmban mbi shtatëdhjetë mijë fjalë, fraza idiomatike, shembuj dhe fjali që ilustrojnë përdorimin. Aty janë përfshirë, gjithashtu, shumë sinonime me qëllim që të përcaktohen sa më saktë caqet e përmbajtjes semantike, brenda së cilës mund të përdoret një fjalë e dhënë. Për hartimin e tij është ndjekur mënyra tradicionale e ndërtimit të fjalorëve arabë. Renditja merr për bazë rrënjën e fjalës në gjuhën arabe dhe pastaj derivatet e saj, çka do të thotë se përdoruesit e fjalorit duhet të kenë njohuritë fillestare të gramatikës dhe të morfologjisë së arabishtes.
Ky fjalor vjen në një moment kur marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet arabe janë shpeshtuar në shumë fusha, kur masa e shqiptarëve që njohin arabishten ose që janë të interesuar për përvetësimin e saj është rritur ndjeshëm. Ai është ndihmesë për të hyrë në lidhje e për të komunikuar me rreth 250 milion njerëz në botë që flasin këtë gjuhë, si dhe për ta pasuruar edhe më tej arealin shqiptar me arritjet e mëdha në fushën e shkencës, artit, kulturës dhe letërsisë që arritën kulminacione në botën arabe.