Njohje per AIITC Struktura Stafi Kontakt
Takime Konferenca Simpoziume Seminare Leksione
Çmimi AIITC 2008 Kushte dhe kerkesa Shperblimi i Çmimit Ftese Kandidimi
Publikimet e AIITC Studime monografi Libra per femije Libri Islam
Arkivi Doreshkrime Katalogu Libra te vjeter
Marredhenie shqiptare-Ballkanike Marredhenie nderkombetare



Viziton AIITC Shkëlqesia e Tij, ambasador Samah Al-Sutuhi, Sekretar i Përgjithshëm i Fondit Egjiptian për Bashkëpunim me Vendet e Komonuelthit dhe asistent i Ministrit të Jashtëm të Republikës Arabe të Egjiptit


Dita e martë e datës 15 dhjetor 2009, ishte një ditë pune e veçantë për drejtorinë dhe stafin e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam. Në këtë ditë, AIITC e vizitoi Shkëlqesia e Tij, z. Samah Al-Sutuhi, ish-ambasador i Egjiptit në Britaninë e Madhe dhe Suedi, aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Fondit Egjiptian për Bashkëpunim me Vendet e Komonuelthit dhe asistent-këshilltar i Ministrit të Jashtëm të Republikës Arabe të Egjiptit. Shkëlqesinë e Tij e shoqëronte, znj. Amina Goma, ambasadore e Egjiptit në Republikën e Shqipërisë dhe specialisti i deleguar i Fondit në Shqipëri dhe njëkohësisht bashkëpunëtor shkencor në AIITC dr.Ahmed Abdelbaki.

Në takim vizitorët u pritën nga zv.drejtori i Institutit z. Bedri Telegrafi dhe përgjegjësi i marrëdhënieve me publikun z. Eris Koliqi.  Pas përshëndetjeve të rastit, të cilat në emër të drejtorit të përgjithshëm dr. Ramiz Zeka, iu përcollën mysafirëve të nderuar nga zv.drejtori i institutit, biseda vijoi në një frymë shumë miqësore dhe dashamirëse.

Interesimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Fondit Egjiptian për historikun e AIITC-së dhe mënyrën e funksionimit të saj, iu servir një informacion i gjerë që nga themelimi i institutit, përbërja e bordit drejtues, strukturat organizative, mbikëqyrëse dhe ekzekutive.

Gjatë bisedës u përmend fakti që AIITC mban marrëdhënie shumë të mira me institucione homologe brenda dhe jashtë vendit, ambasada, akademi, universitete, biblioteka, institute, qendra kërkimore etj., si dhe që instituti ka bashkëpunime të ndërsjella me interes të gjithanshëm kulturoro-shkencor me ente të ndryshme ndërkombëtare të Lindjes dhe të Perëndimit, ku një rol kryesor zënë ato me vendet e Botës Islame.

Ndër të tjera z. Sutuhi iu paraqit një ekspoze e shkurtër rreth drejtimeve kryesore të veprimtarisë së AIITC, si: organizimi i konferencave, simpoziumeve, seminareve, leksioneve me karakter kombëtar, ndërkombëtar dhe rajonal. Pa dyshim pjesën më të madhe të kësaj ekspozeje e zuri njohja me arritjet në fushën e botimeve me titujt e rëndësishëm që AIITC-ja ka mundur të realizojë në harkun këtyre viteve, ku ndërmjet shumë syresh spikasin: shqipërimi i Kuranit Famëlartë, bazuar mbi tekstin e përkthyer nga profesori dhe teologu i shquar kosovar Hasan Nahi, botim i cili është realizuar edhe në versionin elektronik-dixhital, "Fjalori i Orientalizmave" me autor Tahir Dizdarin, "Historia e Shtetit, Shoqërisë dhe Qytetërimit Osman" botuar në shqip, "Legjislacioni i Traditës së Profetit a.s." me autor Sejid Sabik, botimet periodike siç janë revista kulturore-shkencore "Univers" dhe "Buletini i Qytetërimit Islam", libri i dr. Islam Laukës për çështjen kosovare, vepra e drejtorit të AIITC dr. Ramiz Zekaj mbi "Zhvillimin e Kulturës Islame në shekullin XX në trojet shqiptare", dhe së fundmi është në proces botimi i fjalorit arabisht-shqip me rreth 70000 fjalë e shprehje.

Në vazhdim u diskutua dhe mbi bashkëpunimin konkret që Instituti ka me Fondin Egjiptian për Bashkëpunim me Vendet e Komonuelthit, i cili ka ardhur si rezultat i një marrëveshjeje të frytshme me ambasadën e Republikës Arabe të Egjiptit që në vitin 2008. Që prej kësaj marrëveshjeje dhe më pas, pranë Institutit është asociuar një specialist i Fondit për bashkëpunim në fushën e kulturës dhe mësimdhënies së gjuhës arabe.

Në fund të kësaj vizite të rëndësishme, u diskutua rreth mundësive dhe interesit të të dyjave palëve për zgjerimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale, nëpërmjet ambasadës egjiptiane në Shqipëri, në fusha me interes të përbashkët: në shërbim të zhvillimit kulturor e shkencor, si dhe për shkëmbimin e përvojave mes dy vendeve mike.

Përshtypjet e shkëlqesive z.Samah Al-Sutuhi dhe znj. Amina Goma, mbas këqyrjes edhe të mjediseve të institutit dhe njohjes nga afër me stafin ishin pozitive dhe mjaft premtuese për të ardhmen, çka reflektoi edhe në përshtypjet e lëna me shkrim në librin e vizitorëve të AIITC-së, nga Sekretari i Përgjithshëm i Fondit Egjiptian për Bashkëpunim me Vendet e Komonuelthit dhe asistent i Ministrit të Jashtëm të Republikës së Egjiptit, Shkëlqesia e Tij z. Samah Al-Sutuhi.