"Ali
Pashë Tepelena, shtetar i madh shqiptar", ishte titulli i konferencës
së parë ndërkombëtare, të mbajtur në sallën e konferencave të
Universitetit U.F.O. në Tiranë më 28 shtator 2009. Kjo Konferencë u
organizua nga bashkëpunimi i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të
Qytetërimit Islam (AIITC) me Universitetin U.F.O, si dhe me Qendrën e
Studimeve Albanologjike dhe me Shoqatën Shqiptare të Bajronit.
Ligjërues në këtë eveniment ishin emrat më të njohur të shkencës shqiptare e të huaj, të cilët përcollën fakte interesante dhe anë të panjohura të madhështisë së figurës së Ali Pashë Tepelenës. Studiuesit referuan mbi aspekte të caktuara të kësaj figure historike shqiptare, si dhe sollën këndvështrime të pa rrokura më parë.
Hapja e konferencës u bë nga studiuesi dhe politikani Sabri Godo, i cili falënderoi të pranishmit dhe vlerësoi me tone pozitive organizimin e këtij aktiviteti. Ai bëri një sintezë të shkurtër për figurën e Ali Pashë Tepelenës, të cilin e ka studiuar gjerësisht në librin e tij "Ali Pashë Tepelena", një libër i ribotuar dy herë në variante të përmirësuara.
Më tej, përshëndetën konferencën, drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi, studiuesi Irakli Koçollari, si dhe nismëtari për organizimin e kësaj konference, Prof.Dr.Afrim Karagjozi.
Konferenca u zhvillua në tri seanca kryesore dhe pati shume diskutime e polemika në lidhje me çështje të caktuara, kryesisht mbi botimet kontradiktore për figurën e Ali Pashë Tepelenës. Referuesit e seancës së parë ishin: studiuesi rus Prof.Grigori Arsh, Prof.Dr.Irakli Koçollari dhe Dr.Ramiz Zekaj.
Në fjalën e tij, drejtori i AIITC, Dr. Ramiz Zekaj solli fakte të pathëna mbi këndvështrimin e literaturës arabe dhe osmane për këtë figurë. Kumtesa e tij me titull "Jeta dhe vepra e Ali Pashë Tepelenës dhe historia e Pashallëkut të Janinës në këndvështrimin e dokumenteve arabe-turke" ngjalli shumë interes për të pranishmit.
Ai theksoi në ligjëratën e tij se "Vështruar nga pozicioni i historianit, Aliu rezulton një personalitet që ndërtoi e drejtoi për rreth 35 vjet një shtet shqiptar të madh, e të mirëorganizuar dhe siguroi kushte qetësie në një pjesë të mirë të rajonit të Ballkanit. I vështruar me syrin e një shkrimtari e një udhëtari, Ali Pasha paraqitet si një personazh interesant dhe gati përrallor. Në këtë kumtesë, por besoj akoma më tepër në këtë konferencë, po synohet për ta trajtuar e vlerësuar Ali Pashën më drejt nga ajo që është bërë deri tani, si një personalitet që ka lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë por edhe të asaj botërore, çështje kjo që do i shtrohet akoma më shumë në të ardhmen një procesi rishqyrtimi historik, si përpjekje dhe dëshirë e studiuesve e specialistëve për të vënë në vend emrin dhe meritat e tij si një nga personazhet më të famshëm dhe më interesant të shekullit XIX në historinë e Ballkanit.
Në seancat e tjera ligjëruan edhe studiues bashkëkohorë shqiptarë, si: Dorian Koci, Dritan Egro, Gjin Varfi, Shkëlzen Raça dhe studiuesja turke Nuray Bozbora.
Ali Pashë Tepelena nuk është vetëm personazh i historisë, por edhe i librave artistikë të autorëve të huaj. E vërteta është se që nga bashkëkohësit e gjer në ditët tona, Ali Pasha ka tërhequr më shumë vëmendjen e studiuesve, historianëve dhe udhëtarëve të huaj se sa shqiptarë. Por tani ka një dukuri tjetër: shkrimet, studimet dhe librat e autorëve shqiptarë janë shtuar dhe janë më të sakta, më shkencore, më të plota, më të vërteta. Përveç librave të Sabri Godos, Ilir Ushtelencës, Irakli Koçollarit, etj., shtëpitë botuese po sjellin në shqip një sërë përkthimesh, të cilat e plotësojnë boshllëkun e viteve.
Organizimi i kësaj konference shkencore solli një faqe të re në dritën e këndvështrimit të shkencës shqiptare mbi figurën e shtetarit të madh Ali Pashë Tepelena.