Njohje per AIITC Struktura Stafi Kontakt
Takime Konferenca Simpoziume Seminare Leksione
Çmimi AIITC 2008 Kushte dhe kerkesa Shperblimi i Çmimit Ftese Kandidimi
Publikimet e AIITC Studime monografi Libra per femije Libri Islam
Arkivi Doreshkrime Katalogu Libra te vjeter
Marredhenie shqiptare-Ballkanike Marredhenie nderkombetare
Historiku i AIITC



 Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996.
Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese.
AIITC organizon konferenca dhe simpoziume shkencore, si dhe promovon studime akademike në çështje që lidhen me kulturën, qytetërimin, artin, traditën dhe zakonet islame te shqiptarët.


Ky Institut mban lidhje të rregullta me institucione shtetërore, akademi, institute shkencore, universitete, shoqata kulturore etj., duke krijuar një rreth shumë cilësor të bashkëpunëtorëve në fusha të ndryshme. Përveç stafit të përhershëm, angazhohen në mënyrë të vazhdueshme studiues të fushave të ndryshme, historianë, punonjës shkencorë, teologë, artistë, lektorë etj., të cilët japin kontributin e tyre nëpërmjet hulumtimit e grumbullimit të materialeve me vlera historike, shoqërore dhe kulturore, si dhe nëpërmjet hartimit të monografive dhe përkthimit të literaturës të vjetër dhe të re, përçuese e filozofisë, qytetërimit dhe të ideve islame.
Përmes kësaj veprimtarie të shumanshme, AIITC: - Kontribuon për ruajtjen e vlerave tradicionale kulturore islame te shqiptarët dhe popujt e tjerë të Ballkanit.

  • Publikon këto vlera në rrugë shkencore, në përqasje me arritjet e kohës.
  • Vendos ura lidhëse ndërmjet kulturës së popullit shqiptar dhe popujve të Ballkanit, e më gjerë, në fushat e historisë, të artit, të gjuhësisë, të filozofisë, të shkencës etj.
  • Krijon kushte të nevojshme për studimin, ruajtjen dhe regjistrimin e objekteve të kulturës dhe arkitekturës islame, nëpërmjet një biblioteke ku mblidhen dorëshkrime dhe libra për kulturën shqiptare, si dhe nëpërmjet një muzeu islam, ku koleksionohen dhe ruhen relikte të rralla të kulturës dhe të qytetërimit islam. Instituti ka nxjerrë një varg botimesh nga fusha të ndryshme si: monografi figurash të shquara të kulturës shqiptare e të historisë kombëtare, përkthime të literaturës së traditës dhe bashkëkohore. Këto botime, ndër të tjera, janë vlerësuar edhe në Panairet e librit në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Ulqin etj.

Organizimi i drejtimit të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam është si më poshtë:

  • Këshilli i Lartë është organi kujdestar i AIITC-së. Ky këshill përbëhet nga anëtarët që themeluan Institutin. Përfaqësimi i tyre është i përhershëm, dhe mbulon viset shqiptare në Ballkan e diasporë. Ky këshill miraton politikat e punës së Institutit, duke patur të drejtën të kundërshtojë çdo vendim qe del nga organet, komisionet dhe këshillat e tjerë të Institutit, kur ato bien ndesh me statutin e AIITC.

  • Asambleja e Përgjithshme miraton rregullat e veprimtarisë së Institutit. Ajo përbëhet nga anëtarët e përhershëm që kanë kryer detyrimet e tyre vjetore. Kjo Asamble mblidhet së paku një herë në vit. Mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme, quhet e rregullt kur janë të pranishëm një e treta e anëtarëve , që kanë të drejtë ta përfaqësojnë atë. Asambleja i miraton vendimet me shumicë votash (sipas formulës 50%+1). Asambleja e Përgjithshme ka të drejtë të kërkojë tërheqjen e anëtarësisë të ndonjë anëtari, ose të propozojë anëtarë të rinj.
    Asambleja e Përgjithshme në mbledhjen e saj të rradhës miraton vendimet, relacionet, programet, buxhetin e shpenzimeve si dhe bilancin financiar përfundimtar vjetor të Institutit, të paraqitura nga Bordi Drejtues. Asambleja e Përgjithshme shqyrton dhe miraton relacionet e Komisionit Mbikqyrës të Pasurisë, llogaritë e tij dhe propozimet e paraqitura. Asambleja e Përgjithshme ka të drejtë të propozojë dispozita të brendshme dhe projekte shtesë dhe t'i parashtrojë ato për votim. Asambleja e Përgjithshme mund të thirret në mbledhje të jashtëzakonshme edhe jashtë rradhës, me kerkesë të Këshillit të Lartë ose të Bordit Drejtues, si dhe me kërkesën të paktën e një të tretës së anëtarëve të saj, për të shqyrtuar një çështje urgjente.

  • Bordi Drejtues është organi ekzekutiv i Institutit, i cili bën drejtimin e tij të përditshëm në mbështetje të programit të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme. Ai përbëhet nga pesë deri në shtatë anëtarë. Ky bord ka detyren e drejtimit të Institutit, marrjen e vendimeve ekzekutive, nënshkrimin e marrëveshjeve, të duhura, si dhe ndjek realizimin e buxhetit financiar të miratuar.
    Mbledhja e Bordit Drejtues thirret nga ana e Drejtorit Ekzekutiv, që është edhe kryetari i tij, ose me kërkesën e Këshillit të Lartë. Anëtarët e Këshillit të Lartë kanë të drejtë të marrin pjesë në mbledhjet e Bordit Drejtues.
    Bordi Drejtues ka të drejtë të ftojë personat e nevojshëm për të marrë pjesë në mbledhjet e tij, në formën e këshilltarit për çështje të veçanta ose si vëzhgues.
    Kohëzgjatja e përbërjes së Bordit është dy vjet me të drejtën që anëtarët e tij të zgjidhen sërish vetëm edhe për një mandat tjetër.
    Anëtarët e ketij Bordi mund të jenë nëpunës të rregullt të Institutit, si dhe bashkëpunëtorë të jashtëm .
    Këshilli Shkencor ngrihet për të ndihmuar në orientimin e veprimtarisë shkencore, studimore dhe kërkuese të Institutit.
    Në përbërje të Këshillit Shkencor përfshihen punonjësit më të kualifikuar dhe që përfaqësojnë të gjitha departamentet e Institutit. Ky këshill mblidhet si rregull një herë në 6 muaj.

  • Këshilli Shkencor shqyrton:

    • Raportin e punës shkencore të paraqitur nga Drejtoria për realizimn e projekteve të punës së Institutit dhe për shpenzimet e parapara për këtë qëllim.
    • Punimet më të rëndësishme shkencore të Insitutit (monografi, përmbledhje dokumentesh, platforma aktivitetesh shkencore, etj).
    • Programet kombëtare në të cilat përfshihet Instituti.
    • Dhënien e titujve shkencorë sipas procedurës së parashikuar me ligj.
    • Kandidatët për anëtarë akademie si përfaqësues të Institutit.

Ky këshill ka të drejtë të ndërpresë çdo aktivitet, në të cilin vihen mungesa teknike-shkencore ose profesionale.

  • Komisioni mbikqyrës caktohet nga Këshilli i Lartë ose nga Asambleja e Përgjithshme. Kryetari i saj është kryetari i Bordit Drejtues. Ai paraqet në Asamblenë e Përgjithshme relacione të vazhdueshme vjetore, llogaritë dhe propozimet për çështjet e pasurisë dhe veprimtaritë e tjera të komisionit, të cilat duhet të miratohen më pas nga Këshilli i Lartë.
    Ky komision mbikqyr gjithashtu punët e pronës së patundshme, zhvillimet e saj dhe llojet e investimeve dhe të shpenzimeve për to, mbështetur në politikën e përgjithshme të përcaktuar nga Asambleja e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë.

  • Studiuesit dhe hulumtuesit Këtu bëjnë pjesë personat , qe bashkëpunojnë me Institutin për një kohë të caktuar, kryesisht derisa të përfundojnë punën e tyre kërkimore-shkencore, seminarin ose vizitat e tyre në Shqipëri dhe të cilët nuk dëshirojnë të kenë anëtarësim të vazhdueshëm në Institut.
    Edhe këta duhet të respektojnë rregullat e sipërpërmendura për anëtarësim aktiv